Menu

Programe

PROGRAMI I SHOQATËS
“KËSHILLIT TË AMBASADORËVE SHQIPTARË”
“COUNCIL OF ALBANIAN AMBASSADORS”

Programi i Shoqatës “KËSHILLIT TË AMBASADORËVE SHQIPTARË”, një organizatë Jo fitimprurëse, lejon qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëkohore bashkëpunimi në nivel diplomatësh të karrierrës të cilët synojnë të mbështesin  funksionimin më aktiv dhe më profesional të diplomacisë shqiptare në përputhje me standartet më të larta ndërkombëtare dhe me nevojat e shtetit shqiptar, në  përputhje me standardet evropiane në këtë fushë.

Qëllimi i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (CAA) është mbështetja në një formë të re dhe profesionale e politikës e jashtme së shtetit shqiptar dhe vetëm në emër të interesave të kombit shqiptar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të promovojë imazhin e diplomacisë shqiptare, të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të ndjekë dhe do të analizojë çeshtjet, ngjarjet dhe zhvillimet më të mprehta dhe më me interes për Shqipërinë në rajon, në Europë dhe më gjerë, me qëllimin e ndihmës për institucionet kryesore të shtetit shqiptar në mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, nëpërmjet dhënies së rekomandimeve përkatëse në rrugë konfidenciale sipas rastit ose publike.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të përfaqësojë dhe do të mbrojë të drejtat ligjore dhe morale të ish – diplomatëve të karrierës në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe me konventat pëkatëse ndërkombëtare në bashkëpunim me institucionet e Presidentit të Republikës, të Parlamentit, të Kryeministrit të Shqipërisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të zhvillojë në vazhdimësi bashkëpunimi me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri me qëllimin e rritjes së mirëkuptimit dhe të marrëdhënieve miqësore midis tyre dhe shtetit e shoqërisë shqiptare.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të zhvillojë bashkëpunim të rregullt me organizata homologe të Ambasadorëve dhe të diplomatëve të karrierës nëpër botë, me organizatat ndërkombëtare politiko – diplomatike, ku Shqipëria bën pjesë si dhe me institucionet kërkimore apo studimore që kanë qëllime të ngjashmenë funksion të promovimit të interesave të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të zhvillojë disa drejtime të veprimtarisë së tij brenda vendit, në bashkëpunim me institucionet arsimore, kërkimore dhe studimore, të cilat kanë për objekt marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën diplomatike, ekonomike, dhe kulturore dhe marrëdhëniet me publikun.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të organizojë veprimtari diplomatike, shkencore dhe akademike, në formën e botimeve, konferencave, tryezave të rrumbullakta, forumeve me debate profesionale të hapura për publikun apo edhe të mbyllura, në përputhje me rëndësinë dhe diskutimin e temës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të ketë botimete veta apo do të marrë pjesë me punimet e anëtarëve të tij në botimet e të tjerëve në përputhje me qëllimet e organizatës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të organizojë panele diskutimi jashtë programeve të veta vjetore për çështjet më të ngutshme të politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këto panele, pëveç anëtarëve të organizatës, mund të ftohen herë pas here për referim dhe për diskutime edhe funksionarë të lartë të qeverisë dhe të shtetit apo dhe Ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë.

Këshili i Ambasadorëve Shqiptarë ofrohet të shërbejë vullnetarisht me ekspertizën e vet si mekanizëm konsultimi për institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashme, të Komisionit të Politikës së Jashtme në parlament, të kryeministrisë, të Presidentit të Republikës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ofrohet të organizojë kurse dhe seanca trajnimi profesional për ambasadorët e rinj të Shqipërisë dhe për diplomatët profesionistë të emëruar në poste të larta diplomatike jashtë shtetit.

Këshilli i Ambasadorëve do të ketë faqen e vet në internet:www.albanianambassadors.al, e-mail: [email protected] për të ndihmuar bashkëpunimin me organizatat homologe dhe për t’u ardhur në ndihmë institucioneve dhe njohjes së publikut të brendshëm dhe të jashtëm me veprimtarinë e tij.