Menu

Nga 1 janari 2024, qytetarët e Republikës së Kosovës mund të lëvizin lirshëm në Evropë.

0 Comments

Tirane 18 Prill 2023

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet vendimin e sotëm të Parlamentit Evropian që i hap rrugë përfundimisht LIBERALIZIMIT të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm, duke filluar nga 1 janari i vitit 2024, në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet nga 27 shtete evropiane.

Ky vendim, në të vërtetë i vonuar i Bashkimit Evropian, është një arritje historike e shtetit të Kosovës, institucioneve dhe popullit të saj, që kanë bërë të mundur plotësimin e të gjitha kushteve teknike e politike të vendosuara nga Komisioni Evropian.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë gjen rastin të përgëzojë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, të përfshira në këtë proces, për punën e tyre të palodhur dhe profesionale në arritjen e standarteve dhe kritereve të kërkuara.

Një mirënjohje të veçantë meriton Znj. Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, për përkushtimin dhe punën e saj të palodhur në përmbushjen e këtij objektivi të rëndësishëm si për Kosovën ashtu dhe për vetë BE-në.

KASH shpreh bindjen se liria e lëvizjes, një e drejtë themelore dhe më se e merituar e qytetarëve të Kosovës, shkëmbimet dhe njohjet e drejtpërdrejta ndërmjet qytetarëve, biznesmenëve, shkencëtarëve, njerëzve të artit e kulturës, do t’i shërbejnë forcimit ekonomik e social të Kosovës, zhvillimit të mëtejshëm të arësimit, shkencës e kulturës, si dhe njohjes e promovimit të Kosovës në Evropë e më gjerë, çka i shërben në të njëjtën kohë forcimit të paqes, stabilitetit e sigurisë në rajonin tonë.

Suksese të mëtejshme Kosovë në rrugëtimin tënd drejt integrimeve euroatlantike!