Menu

Deklaratë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

0 Comments

Tiranë, 18 Mars 2020

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh kënaqësinë që Senati i Mbretërisë së Spanjës votoi me shumicë dërrmuese aprovimin e Protokollit të Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, që u pasua menjëherë nga firmosja e dekretit të Mbretit Felipe, çka i hap rrugën Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe vijimit me sukses të saj në rrugën euro-atlantike të integrimit.

Si vendi i 30-të anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut do të japë një kontribut të vyer për forcimin dhe konsolidimin e sigurisë kolektive në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Ky është një moment historik për NATO-n, për të gjitha vendet e rajonit, e në mënyrë të veçantë edhe për Shqipërinë, e cila ka mbështetur pa lëkundje aspiratën integruese të fqinjit të saj.

Nuk mund të mos kujtojmë me këtë rast rrugëtimin e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO, përfshi edhe në kuadër të Kartës së Adriatikut, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndihmuan dhe mbështetën reciprokisht njëra-tjetrën për arritjen e këtij objektivi strategjik.

Përpjekjet e brendshme për reforma demokratike, dialogu dhe fqinjësia e mirë, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, arritja e Marrëveshjes së Prespës, dhe ruajtja e kursit euro-atlantik e rreshtuan Maqedoninë e Veriut krah vendeve demokratike që bashkohen në parimet e lirisë, demokracisë dhe sigurisë kolektive.

Në këtë kuadër një rol të veçantë ka luajtur faktori shqiptar në Maqedoni, i cili në mazhorancë të palëkundur pro-NATO dhe pro-BE, ka mbështetur politikat integruese dhe ka dhënë ndihmesën e vet institucionale për të lehtësuar sfidat e këtij procesi.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vë në dukje se gjithë ajo që mësojmë nga procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, është se janë meritat, reformat dhe kriteret e plotësuara ato që realizojnë objektiva të tillë dhe se asgjë nuk jepet si bonus.

Duke uruar edhe një herë Maqedoninë e Veriut për këtë arritje historike, shprehim mbështetjen tonë për të gjithë hapat që ndërmerren, në kuadër të plotësimit të kritereve për anëtarësim në BE dhe për fuqizimin e marrëdhënieve më të mira ndër-etnike, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zgjerimin e bashkëpunimit me fqinjët.