Menu

Fjala e Presidentit të Këshillit e Ambasadorëve Shqiptarë me rastin e 1 Vjetorit të themelimit

0 Comments

Besnik Mustafaj
President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë

I nderuar Zoti President i Republikës,
Shkëlqesi ambasadorë,
Të dashur miq,

Në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë ju uroj mirëseardhjen në festën e përvjetorit të parë të themelimit të organizatës tonë. Praninë tuaj këtu sot, ne e shohim si vlerësim dhe inkurajim për Këshillin tonë.

Një vit është pak në jetën e një organizate. Një vit është pak edhe në jetën profesionale të secilit nga anëtarët e Këshillit tonë. Por ky vit na ka mjaftuar ne për të afirmuar qëllimin përse u bashkuam. Secili prej nesh ka pas vetes një përvojë të gjatë në shërbim të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Edhe pse nuk jemi më pjesë e trupit diplomatik, bindja jonë ka qenë dhe mbetet që kjo përvojë është e dobishme për interesin e përgjithshëm. Ne besojmë se përshpejtimi i procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian është interesi madhor i të gjithë shqiptarëve. Ne e kemi ofruar dhe do ta ofrojmë vullnetarisht përvojën tonë në mbështetje të këtij procesi.

Për arsye historike që dihen, një pjesë e ambasadorëve shqiptarë të kësaj periudhe 30 vjeçare nuk vijnë vetem nga trupi diplomatik i karrierës. Ky është realiteti. Gjatë përgatitjeve për themelimin e Këshillit tonë, ne ishim përpara zgjedhjes ose ta tejkalonim këtë realitet, duke u bashkuar për një qëllim mbi bindjet partiake të secilit prej nesh, ose të krijonim dy organizata, duke e shtrirë debatin politik të partive edhe midis nesh. Ne bëmë zgjedhjen e parë, që ishte edhe më e vështira. Por vendosëm që, në kuadër të qëndrimeve publike të Këshillit të Ambasadorëve, secili nga anëtarët do t’i linte jashtë preferencat e veta politike. Ne donim të jepnim një shembull si mund të bashkohen dhe ata që mendojnë ndryshe. Morëm kështu liri ta zgjerojmë Këshillin tonë, duke përfshirë edhe ish-ministrat e jashtëm.

Do pranuar se ky vit nuk ka qenë më i përshtatshmi për ta filluar jetën një organizatë si kjo e jona. Në peizazhin e shoqërisë civile shqiptare, Këshilli i Ambasadorëve është një rast krejt i veçantë, atipik. Të tillë e bëjnë anëtarët e tij. Një pjesë prej nesh kanë hyrë në shërbimin e jashtëm pasi kishin bërë kariere të spikatur dhe rrugë brënda njërit nga formacionet e mëdha politike. Ka ndër ne që janë kthyer të vazhdojnë jetën politike pas përfundimit të misionit në shërbimin e jashtëm. E drejta e tyre.

Ky vit, siç e dimë të gjithë, ka shënuar një tension në rritje të jetës politike, për të arritur te polarizimi ekstrem që kemi sot. Ky polarizim është treguar edhe në leximin që njëri apo tjetri kamp politik u kanë bërë dhe vazhdojnë t’u bëjnë mesazheve të ardhura nga partnerët strategjikë europianë dhe amerikanë.

Sfida e Këshillit të Ambasadorëve shqiptarë ka qenë dhe mbetet për të ruajtur koherencën e vet në shërbim të interesit kombëtar, duke shmangur si euforinë e njërës palë edhe nihilizmin demoralizues të palës tjetër. Të bashkuar, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve kanë arritur të ngrihen mbi preferencat politike individuale. Ky qëndrim e bën organizatën tonë atipike brenda peizazhit të shoqërisë civile shqiptare. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, duke besuar se, me mundësitë tona do të jemi sadopak të dobishëm në mbështetje të aspiratës euro-atlantike të atdheut tonë.

Ne vetëm këshilla dhe sugjerime kemi. Dhe flasim publikisht apo në takime konfidenciale për ata që duan të na dëgjojnë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është kujdesur t’i shmanget debatit të brendshëm partiak, duke u përqëndruar kryesisht te zhvillimet në politikën e jashtme të shtetit tonë. Por sot, duke përfituar nga prania e disa prej udhëheqësve politikë, gjejmë rastin të shprehim shqetësimin tonë të madh lidhur me krizën e rëndë që ka mbërthyer vendin. Ne vlerësojmë se kjo krizë dëmton rëndë besimin e partnerëve tanë strategjikë amerikanë dhe europianë te Shqipëria dhe klasa e saj politike. Ajo vë drejtpërdrejt në vështirësi veçanërisht procesin e integrimit europian.

Jo vetëm arsyet, që janë në origjinë të kësaj krize, por edhe mënyra si po administrohet ajo, nuk përputhen me vlerat e demokracisë europiane.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nuk mund të pajtohet me këtë realitet. Kjo krizë mund të ketë vetëm një zgjidhje të shëndetshme, që është kompromisi, i arritur doemos përmes një dialogu të hapur e të ndershëm. Ne presim që të dy palët të dalin pa humbur më kohë nga llogoret dhe të afrohen drejt pikës së përbashkët, që duhet të jetë interesi madhor i vendit.

Do të jetë një kompromis me lëshime të dhimbshme nga të dy palët e sidomos nga ata, që janë në pushtet, një nga ato kompromise, që mund të prodhojë vetëm një leadership me bindje të rrënjosura për t’i shërbyer demokracisë. Një kompromis i tillë do të ishte rasti për ata udhëheqës që ëndërrojnë të zënë një vend të respektuar në historinë tonë kombëtare dhe politike. Ne ende shpresojmë se ata nuk do ta humbin këtë rast.

Në mbyllje më lejoni t’u shpreh mirënjohjen tonë të thellë Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Miqtë tanë nga Uashingtoni na kanë shoqëruar dhe nxitur qysh në lindjen e idesë për themelimin e Këshillit tonë. Bashkëpunimi që kemi me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë si dhe me Akademinë Diplomatike Amerikane është i çmuar për ne.

Një falënderim të përzemërt kam edhe për ambasadorët e vendeve mike, të akredituar në Tiranë. Ata e kuptuan drejt qysh në fillim qëllimin tonë dhe kanë vendosur me ne një komunikim të hapur e miqësor prej kolegësh.

Faleminderit edhe medias për jehonën që u kanë dhënë deklaratave tona.

Ne do të vazhdojmë punën tonë, duke shpresuar se jemi të dobishëm për opinionin publik, për trupin diplomatik të Republikës së Shqipërisë si dhe për të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në një mënyrë apo një tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit tonë si dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Faleminderit të gjithëve!