Menu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë

0 Comments

Takim prezantues i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë me Presidentin e Republikës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta ftoi në një takim zyrtar në dt. 18 qershor, në ambjentet e Presidencës, Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, për ti uruar suksese për nismën e ndërmarrë, lidhur me krijimin e Këshillit të Ambasadorëve, si dhe për të kërkuar mbështetje dhe bashkëpunim për çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomatike, për të cilat Presidenti i Republikës ka një rol të rëndësishëm kushtetues.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Presidenti i CAA Z. Besnik Mustafaj, Z. Agim Fagu, Z. Arben Cejku, Z. Fatos Kerciku, Z. Genci Mucaj, Z. Gilbert Galanxhi, Z. Hajdar Muneka, Z. Leonidha Mertiri, Z. Lisen Bashkurti, Z. Neritan Ceka, Z. Petraq Pojani, Z. Shaqir Vukaj, Z. Shpetim Caushi, Z. Spiro Koci, Z. Vangjel Mita, Zj. Lorisa Ylli, Kordinatore e CAA.

Presidenti i CAA, Z. Besnik Mustafaj i shprehu Presidentit të Republikës falenderimet e tij për ftesën dhe kohën kushtuar Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, u shpreh ai, është një organizatë jo qeveritare e cila ekziston në të gjitha vendet demokratike. Pasi informoi Presidentin e Republikës për përbërjen, statutin dhe aktivitetet e deritanishme të CAA, Z. Mustafaj tha se jam i bindur që mbështetja Juaj do të jetë një vlerë e shtuar për Shoqatën.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, shtoi Z. Mustafaj, synon të shmangë individualitetin politik. Qëndrimet do të jenë apolitike, duke synuar ti shërbejmë sa më mirë politikës së jashtme të Shqipërisë.

Mustafaj ju referua edhe një prej takimeve të zhvilluara në MPJ, ku Z. Bushati kërkoi vlerësime/mendime për aktivitetin lobues për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për periudhën dy vjeçare 2022-2023, me zgjedhje në qershor 2021, të cilin e konsideroi si “takim mjaft produktiv”.

Gjatë takimit e morrën fjalë edhe shumë Ambasadorë, të cilët, pasi falenderuan Presidentin Meta për mundësinë e krijuar, u shprehën se, falë eksperiencave që ka, CAA mund të kontribojë cilësisht në diplomacinë shqiptare.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta e cilësoi Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë si një forum që i kish munguar diplomacisë shqiptare. Nga përbërja, vijoi Presidenti, konstatoj së është gjithëpërfshirës dhe jam i sigurt se të tjerë do iu atashohen së shpejti.

Diplomacia Shqiptare, tha ai, kërkon realizëm, seriozitet dhe besueshmëri, pasi jemi një vënd i vogël dhe duhet mirëmenduar qëndrimi. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mbështetjen e plotë të Presidencës dhe do isha i nderuar të merrja pjesë në aktivitetet tuaja, tha Presidenti Meta.

Presidenti inkurajoi CAA për të qenë proaktiv. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë duhet të ketë peshë në vendimmarrje, gjë të cilën do e përcaktojë vetë angazhimi i CAA. Duke kërkuar bashkëpunimin e ngushtë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Presidenti Meta tha se më konsideroni edhe ju si këshilltar tuajin.

Për Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë është shumë e rëndësishme vazhdimësia, tha Z. Mustafaj. Duke informuar aktivitetet e ardhshme të Këshillit, ai tha se më 12 korrik do të jemi në Uashington, ku do të kemi takime bilaterale me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë si dhe me Përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit. Gjithashtu, vijoi ai, janë planifikuar dhe projekte me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë në muajin nëntor.

Presidenti Z. Ilir Meta shprehu falenderimet e tij për takimin, informacionin e dhënë dhe siguroi për një bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.